Κυριακή 9 Δεκεμβρίου 2012



KUKUMJAÇKA
Rena M Petrou

Mbrëmë natën, nata ish e gjatë, e gjatë e pambaruar.
Një kukumjaçkë erdhi u ul në pemën pranë oborrit
dhe zuri kujën me vajtim, me vaj të zi të hidhur.

Klithma e saj rryhej në vesh, e lotë gëlonte syri.
Dhe ndjeja thellë në shpirtin tim se veç për ty vajtonte.
Po ku të vij e shkreta unë, ku të të gjej e gjora,
tani që nuk jetojmë më bashkë, të ndarë e të thërmuar?
Më the, në botë e në dynja kurrë mos të të kërkoja
dhe as për gaz e hidherim pranë teje mos afrohem!

Por sapo gdhiu ditë e re e shkoi natë e mallkuar,
mbëriti lajmi, kob i zi, tutje nga hapësirat.
Ti ndër të gjallë nuk ishe më, por ishe ndër të vdekur.
Atëhere mali drithëroi e dielli u shua
dhe zogjtë e mpirë përmbi pullaz, ndaluan fluturimin.
Dhe zemra ime u nda më dysh e sytë mu errësuan,
jeta u bë një hon i zi, gjërsa në të ti  s’ ishe.

E çë se nuk jetonim bashkë, e çë se nuk më doje,
sa kohë që shihje qiellin dhe yjet adhuroje,
pa, dashuri do gjeje gjetkë e puthje do dhuroje.
Por është mëkat, gjynah i rëndë të jesh i shtrirë, për lumë,
e sytë e tu të mos shijojnë detin dhe dallgët shkumë.

Ndaj dhe po vdes i shtrenjti im, të vi aty pranë teje.
Si të të lë n’ atë vetmi, n’ atë shurdhim rrufeje?

Shqipëroi: Arqile Garo
Janinë, dhjetor 2012

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου